Venezuelë, viktima të tjera gjatë protestave anti-qeveritare

Një 42-vjeçar ka vdekur dhe të paktën pesë persona të tjerë kanë mbetur të plagosur të hënën në Merida në Venezuelë, gjatë protestave të organizuara nga opozita kundër qeverisë së drejtuar nga Nicola Maduro.

Një tjetër manifestues është vrarë në Barinitas, në shtetin e Barinas, në perëndim të vendit.

Prokuroria ka njoftuar se ka hapur një hetim për dy rastet e fundit, të qëlluar me armë zjarri. Qeveria dhe opozita akuzojnë njëra-tjetrën se janë përgjegjëse të këtyre episodeve të reja të dhunës.

Përveç dy viktimave, të paktën pesë persona të tjerë janë plagosur me armë zjarri dhe janë shtruar në spital, ku ndodhen në gjendje kritike për jetën.

Pas bllokimit të arterieve kryesore të vendit ditën e djeshme, opozita ka thirrur një tjetër protestë për nesër në kryeqytetin Karakas, por pa saktësuar nëse do të drejtohet drejt Gjykatës së Lartë apo Këshillit Elektoral Kombëtar.

Sipas mediave vendase, numri i viktimave deri tani, që pas nisjes së protestave anti-qevritare ka shkuar të paktën 25 persona.

25 prill 2017 (gazeta-Shqip.com)



Loading...
Propellerads

Leave a Reply