Takimi i diplomatit italian me Ahmet Zogun

Alesandro Lessona

Në gusht të vitit 1924  Xhilberto Punji  më foli për një princ shqiptar, Ahmet Zogun, që kishte dërguar sekretarin e tij në Itali, se mos ndihmohej nga  Musolini, për një lëvizje të armatosur, që të ndërmerrte në shtatorin që vinte, me anë të së cilës do të rivendosej në krye të Shqipërisë. Isha deputet atëherë dhe ndërmjetësi, Jak Koçi, kërkonte të merrja takim me Duçen, për këtë kërkesë.

-A e njeh vetë Zogun?,- më pyeti.

-Jo ,- iu përgjigja, – por më kujtohet se, kur ishte ministër i Brendshëm, qé ndër më të vendosurit për një veprim gjer në fund kundër italianëve, kur ishim të shtrënguar të lëshonim Vlorën.

-Që Italia ta ndihmojë të rivendosë pushtetin në Shqipëri, duke e subvencionuar me 2 milionë lireta. I duhen për të blerë armë për ushtrinë e vogël kryengritëse, nja dymijë veta. Zogu, nga ana e tij, merr përsipër, sapo të vërë në dorë pushtetin, që ta mbështesë Italinë me politikën e tij të jashtme e që vendi ynë të mundet, në këtë mënyrë, të sigurojë zotërimin e qetë dhe përfundimtar të Detit Adriatik. Ai që na dëboi nga Vlora e di për bukuri vlerën e paçmueshme që ka për ne mbështetja e sigurt për të bllokuar ngushticën e Otrantos. Sekretari i Zogut më është lutur që t’ju bëj të ditur se ndihma ka ndërmend t’i japë Zogut edhe Qeveria jugosllave. Dhe Anglia e sheh me sy të mirë orvatjen e Zogut për qëllimin e tij; por ky e  ka të qartë se Shqipëria mund të zhvillohet vetëm duke u mbështetur ngushtësisht tek Italia. Anglisë nuk ia ka besën: “ajo është mësuar prej shekujsh që të marrë, pa dhënë asgjë”,- ka thënë Koçi,- “dhe ajo nuk mund të ndryshojë, natyrisht, për ndonjë farë simpatie të veçantë ndaj Zogut”. Sa për Jugosllavinë, ky nuk dëshiron të ketë asnjë detyrim mirënjohjeje ndaj saj, duke qenë i vendosur që të mbajë gjallë çështjen e shqiptarëve të Kosovës. Italia dhe Shqipëria, sipas mendimit të Zogut, të dyja së bashku, kanë përse t’u ruhen Jugosllavisë dhe Anglisë; ja përse interesi ynë është i përbashkët.

Musolini mbeti i befasuar nga ky propozim. Nuk kishte dëgjuar ndonjëherë të flitej për Zogun dhe, ndonëse tregoi interesim për çka po i thosha, mbeti në mëdyshje, disi mosbesues. Kishte të drejtë. Veçse, meqë shifra e kërkuar dukej tepër e ulët dhe, duke marrë parasysh përfundimet që mund të arrinim, ngulmova që kërkesa të mos  shpërfillej. Nëse Zogu do të ndihmohej nga Jugosllavia, çështja e Adriatikut do të rëndohej për ne. Vërejta , gjithashtu, se politika e jashtme ka edhe anën e saj të provave të rrezikshme.

Musolini mbeti disa minuta ngurrues, pastaj mu përgjigj:

-I thoni Zogut se jam i vendosur të marr në shqyrtim kërkesat e tij, me kusht që ai të m’i paraqesë këto kërkesa në një letër ngushtësisht vetjake; për fshehtësinë e letrës jap sigurimet më të plota se do të jetë varr i mbyllur.

I vura në dukje bashkëbiseduesit tim se do të ishte e pamundur të lëshohej një dokument kaq shpërthyes për këtë çështje.

-Zogu, si të gjithë lindorët, është tepër mosbesues. Ai luan një letër që rrezikon jetën e vet. Janë të mundshme bisedime me jugosllavët, të cilët i kanë pas dhënë njëfarë ndihme. Do të ishte vërtet i leshtë nëse lëshonte një shkrim të tillë, aq komprometues për të (duke u dhënë jugosllavëve një armë në dorë,-p.). Ai mund të mendojë se kjo mund të përdorej në dobinë tonë pranë Jugosllavisë, për ta gozhduar.

Mbërrita në Shqipëri andej nga mesi i shkurtit. Përshtypja që pata për këtë vend ishte mjeruese. Disa shtëpiza në Durrës; një rrugë thuajse e papërdorshme për të vajtur në Tiranë. Por edhe vetë Tirana, kryeqyteti i Republikës, të jepte një pamje që të bënte përshtypje për varfërinë, për primitivitetin. Ndriçimi publik ishte i paqenë. Ashtu edhe elektriciteti, apo gazi. Rrugët me zhavorr, ishin po ato që u meremetuan mbi gjurmët e lashta romake dhe në kushtet e përçueshmërisë mjaft të mundimshme. Pjesa me gropa dhe shkëputjet rrugore ishin më të shpeshta se ato që mund të quheshin të mundshme për të ecur pa ndalesa; nuk kishte ura dhe detyroheshim të kalonim në vah përrenj e lumenj. Ujët e pijshëm mezi merrej, me pagesë, nëpër qytete nga shitës bredhës, që e përçonin duke e mbartur me kafshë. Me një fjalë: një vend parak i çorganizuar sa s’ka ku të vejë. Kam parë me sytë e mi të theren kafshët nëpër rrugët e Tiranës. Hoteli i kryeqytetit ishte kaq tmerrësisht i pisët, sa nuk mundja dot të merrja guximin të zhvishesha dhe rashë me rroba mbi shtrat, duke e mposhtur neverinë që m’u shpif nga cikja e rrobave të mia me  mbulesën e krevatit.

Ndërkaq Zogu shpallet President i Republikës

Veçse Musolini qëndroi i patundur në pikëpamjen e tij (të atij dokumenti me shkrim- p.) dhe unë s’mund të bëja gjë tjetër veçse t’i jepja sekretarit të Zogut, përgjigjen mohuese. Zoti Koçi mbeti tepër i zhgënjyer. Mendoi se nuk e kisha mbrojtur si duhet çështjen e parashtruar dhe ngulte këmbë që  çështjen ta paraqiste ai vetë te Duçja.

-A e keni parasysh, – më tha, – gjendjen plot rreziqe në të cilën jeton Zogu? Dhe a nuk mendoni se ky, mbase, mund të jetë rasti i fundit për të sistemuar përfundimisht gjendjen e Adriatikut?

Jak Koçi ishte një mik i sinqertë i Italisë. I lindur në Shkodër, i fesë së krishterë, kishte dhënë prova, gjatë Luftës I Botërore, të një mirëkuptimi dhe përkushtimi ndaj Italisë. Me gjithë dëshirë do të kisha pranuar që ta shoqëroja në Romë te kryetari i qeverisë, po të mos isha i bindur se ky hap, tashmë,  ishte i pamundur.

Koçi u nis për në Vjenë, i dëshpëruar dhe i zhgënjyer. Atje Zogu e priste tërë ankth, duke i pasë prerë bisedat me qeverinë  jugosllave meqë shpresonte në afrimin me Italinë. Ishim në gusht, siç e kam thënë. Nuk mora vesh asgjë për Shqipërinë gjer në vigjilje të Krishtlindjeve, ditë në të cilën  Presidenti Zogu fitoi me anë të armëve pushtetin në Shqipëri, duke u shpallur President i Republikës.

Kur e lexova këtë lajm, édhe u gëzova, édhe u shqetësova njëherësh. Më shkoi ndërmend Kryetari i Qeverisë sime, i cili me siguri do të kujtohej për bisedën e dikurshme dhe do ta ndjente me keqardhje që nuk e pranoi këmbënguljen time. E quaja tanimë të humbur rastin për të lidhur marrëdhënie të frytshme me Shqipërinë kur, pas disa ditësh, më njoftuan se zoti Koçi kishte ardhur në Romë dhe kërkonte me ngutje një bisedë më mua. Shpresa u përtërit në shpirtin tim. I çova fjalë Koçit se do të shihesha me të me të gjithë dëshirën time.

Mendimi që të takohesha vetë me Zogun

Kur hyri në studion time, ai më vështroi me një buzëqeshje ironike dhe i kënaqur.

-Paskeni qenë mjaft mosbesues, – më tha. – A nuk kisha të drejtë kur ju thashë se nuk ishim as gënjeshtarë, as mburravecë? Por t’i lëmë të kaluarat. Zogu më dërgon pranë jush për t’ju thënë se bindjet e tij nuk kanë ndryshuar dhe se është ende i vendosur për të lidhur marrëdhënie të ngushta miqësore me Italinë. Më ngarkoi që të rinisim marrëveshjet e ndërprera.

Qeshë vërtet i kënaqur për ato që më thoshte Koçi. Por iu përgjigja se më dukej e dobishme që, para se të fliste me Kyetarin e qeverisë,  të bisedoja njëherë vetë me Zogun. Kështu do të mundja t’ia bëja të njohur Musolinit më gjerësisht idetë dhe mendimet e Presidentit të Republikës shqiptare.

Por Koçi parapëlqente, përkundrazi, që ai të shoqërohej më parë te Musolini, që t’i shprehte mendimin e Zogut, me shpresën që të kthehej në Shqipëri me ndonjë premtim konkret. Veçse mua nuk më dukej me vend që Kryetari ynë të vihej në takim me shqiptarët, para se të bindesha vetë për gjendjen shpirtërore të Zogut. Dhe do të ishte e rëndësishme  nëse qëndrimi i tij politik ndaj nesh do të ishte i tillë sa të ishim të sigurt në zhvillimin e një bashkëpunimi të frytshëm. Para së gjithash doja të bindesha në vend, sesa e qëndrueshme ishte qeveria e Zogut. Kisha një mik fashist në Shqipëri, Karlo Punjin, që ishte në dijeni të plotë të gjendjes për shkak të miqësisë së ngushtë me Zogun dhe mendoja se nga ai do të kisha të dhëna të sigurta, madje edhe të fshehta. Kështu mendova të nisesha për në Tiranë, sa më shpejt. Koçi erdhi me mua. Ramë në ujdi që do të paraqitesha si një inxhinier që dëshiroja të merrja në koncesion shfrytëzimin e mineralit të bakrit, që dukej se e kishte vendndodhjen në afërsitë e kufirit me Jugosllavinë.

Panoramë e një vendi në pikë të hallit

Mbërrita në Shqipëri andej nga mesi i shkurtit. Përshtypja që pata për këtë vend ishte mjeruese. Disa shtëpiza në Durrës; një rrugë thuajse e papërdorshme për të vajtur në Tiranë; por edhe vetë Tirana, kryeqyteti i Republikës, të jepte një pamje që të bënte përshtypje për varfërinë, për primitivitetin. Ndriçimi publik ishte i paqenë. Ashtu edhe elektriciteti, apo gazi. Rrugët me zhavorr, ishin po ato që u meremetuan mbi gjurmët e lashta romake dhe në kushtet e përçueshmërisë mjaft të mundimshme. Pjesa me gropa dhe shkëputjet rrugore ishin më të shpeshta se ato që mund të quheshin të mundshme për të ecur pa ndalesa; nuk kishte ura dhe detyroheshim të kalonim në vah përrenj e lumenj. Ujët e pijshëm mezi merrej, me pagesë, nëpër qytete nga shitës bredhës, që e përçonin duke e mbartur me kafshë. Me një fjalë: një vend parak (primitiv), i çorganizuar sa s’ka ku të vejë. Kam parë me sytë e mi të therren kafshët nëpër rrugët e Tiranës. Hoteli i kryeqytetit ishte kaq tmerrësisht i pisët, sa nuk mundja dot të merrja guximin të zhvishesha dhe rashë me rrobe mbi shtrat, duke e mposhtur neverinë që m’u shpif nga cikja e rrobeve të mia me  mbulesën e krevatit.

*  *  *

Zogu banonte në një shtëpi të thjeshtë që kishte një mesak, domethënë një kat të ulët ndërmjet të parit dhe të dytit. Dyshemeja përbëhej nga dërrasa të pagdhendura. Muret kishin një sherbet gëlqereje. Mobilimi: fare i rëndomtë dhe pa pikë lezeti. Ndonjë qilim, aty-këtu. Pasuria e vetme qëndronte në numrin e rojave të armatosur, të përhapur  në largësi, duke filluar nga njëqind metra, para se të mbërrije në këtë banesë. T’i afroheshe kësaj shtëpize, pa qenë i shoqëruar nga një person që të ishte i njohur, ishte e rrezikshme. Rojat kishin urdhër që të merrnin në pyetje çdo të panjohur, që do të guxonte të afrohej. Unë iu afrova, në të vërtetë, kësaj selie presidenciale. Koçi më këshilloi t’i qëndroja fare pranë për të shmangur ndonjë të papritur.

Zogu më priti në një një dhomë të vogël të thjeshtë, pranë sallonit. Të folurit me të vështirësohej, sepse nuk njihte ndonjë gjuhë europiane dhe as unë nuk e njihja turqishten, gjuha e vetme të cilën ai e fliste, përveç shqipes (*). Përkthyesi ynë ishte zoti Koçi. Zogu më shpalosi me qartësi mendimin e tij politik.

Pjesë nga kujtimet e ish diplomatit italian

15 korrik 2017 (gazeta-Shqip.com)/A.B



Loading...
Propellerads

Leave a Reply