RRËZIMI I AVIONIT, GJENDET KUTIA E ZEZË DHE GJËSENDET E UDHËTARËVE

Gjashtë pasagjerët e vdekur pas rrëzimit të aeroplanit në afërsi të fshatit Kozhle ishin pesë italian dhe një kosovar. Aeroplanin privat e kishte drejtuar piloti Françesko Montanjer, presidenti i klubit amator për fluturim”Flying Treviso”. Me të ishte edhe nënkryetari i klubit Dario Bastasin. Po fluturonin edhe Luka Dale, Anxhelo Kalegri, Ilaria Berti dhe Visar Begaj, kosovar me shtetësi italiane. Viktimat jetonin në provincat e Trevisos, Padovas dhe Udines së Italisë.

Siç njoftuan nga policia, aeroplani kishte kërkuar leje për aterim në Aeroportin e Shkupit për të marrë karburant. Por, diku rreth orës 17:40 të mbrëmjes së kaluar, ishte humbur nga radari i kontrollit të fluturimeve. Një orë e gjysmë më vonë policia kishte marrë një denoncim të një banori të Kozhles për një shpërthim të fortë në afërsi të fshatit. Ekipet policore arritën në fshat afër orës 19:30 dhe së bashku me banorët lokal gjetën edhe mbetjet e avionit.

Policia mbrëmë i shoqëroi edhe ekipet televizive deri tek vendi ku qëndronin pjesa më e madhe e mbetjeve të aeroplanit, por nuk lejonte afrimin deri tek disa prej trupave të pajetë pasi ekspertët e mjekësisë ligjore ishin duke inspektuar terrenin. Rruga deri tek avioni ishte tejet e vështirë për shkak të baltës së trashë e formuar nga shiu i vazhdueshëm por makinat e policisë arritën të na dërgojnë në vendin e ngjarjes. Mediat qëndruan në terrenin malor nga ora tetë e mbrëmjes deri në orën 3 të. Prokurori Publik e kishte tejet të vështirë të inspektojë terrenin e gjerë dhe të përbaltur mbrëmë, prandaj hetimi ka vazhduar sot në orët e hershme të mëngjesit.

Aeroplani kishte pasur si destinacion të fundit Prishtinën ku gjashtë personat e ndjerë do shkonin për hapjen e një klubi të fluturimit në Kosovë. Ata po i shoqëronin edhe dy aeroplanë të tjerë, por ata fatmirësisht kishin arritur të sigurt në Aeroportin e Shkupit. Ekipi i televizionit Shenja takoi disa nga të afërmit e kosovarit të ndjerë Visar Begaj, në vendin e fatkeqësisë. Ata thonë se Begaj po kthehej në Kosovë, për të shënuar njëvjetorin e themelimit të klubit  të aviacionit “Kosova fly academy”, pronari i së cilit ishte vet Visari.

Familjarët shpjeguan se ata rregullisht ndalojnë në Shkup për të mbushur karburant pasi që kerozina e përshtatshme për aeroplanin “Pajper” nuk shitet në Prishtinë. Fatkeqësisht kësaj radhe nuk arritën të aterojnë në aeroportin e Shkupit.

Policia sot njoftoi se ka gjetur tashmë kutinë e zezë e cila do të kontrollohet për të kuptuar shkaqet e rënies së aeroplanit.

“Pas kontrollit në terren janë gjetur mbetje të avionit, njëri krah me rrotë, kuti e metaltë elektronike, dy telefon celularë, bileta të udhëtimit, dhe një pasaportë italiane. Menjëherë pas informacionit të marrë në ora 18:45 është aktivizuar Njësiti për Operacione Speciale të Policisë ku janë angazhuar 50 policë me 10 mjete motorike si dhe 120 policë tjerë me 15 mjete motorike nga Njësiti për Zbarkim të Shpejtë”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Sot ekipe të shumta mjekësore dhe policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer procedurat e hetimi, prandaj edhe nuk lejohet as afrimi i mediave.

Ferikan Iljazi /SHENJA/                                                Operator: Vullnet Ismaili


Rrëzimi i Avionit, gjendet kutia e zezë dhe… by tvshenjaofficial



Loading...
Propellerads

Leave a Reply