OPINION: Maqedonia dhe Unioni Europian

Shkruan: Asaf ADEMI

 

 

Interesi kryesor dhe objektivi strategjik i Republikës së Maqedonisë që mbështetet në një konsensus të gjërë politik dhe social është anëtarësimi në Unionin Europian. Edhe pse sondazhet e fundit tregojnë një rënie të lehtë të mbështetjes së anëtarësimit, shumica e popullsisë në përgjithësi e shumica absolute e shqiptarëve në veçanti janë pro anëtarësimit të vendit në familjen e madhe Europiane që shihet si mundësi e vetme dhe rrugë më efikase për një vend me demokraci të qëndrueshme dhe ekonomi të zhvilluar. Përkushtimi i vendit ndaj realizimit të kritereve të vendosura për anëtarësim duhet parë si mundësi për zhvillim të brendshëm dhe si parakusht për një transformim të suksesshëm ekonomik dhe politik, forcimin e shtetit të drejtës dhe të ligjit, mirëqenies ekonomike e sociale.

 

Përkundër elanit të dëshmuar të lidershipit politk të vendit nga momenti i marjes së statusit si vend kandidat për anëtarësim në drejtim të realizimit të obligimeve të ndërmarra nga sugjerimet e Komisionit Europian e që në përkthim nënkupton përmisimin e jetës së qytetarit të vendit, qeverisja e fundit aspak nuk kishte në agjendë realizimin e objektivave strategjike. Në të kundërtën, si pasojë e menaxhimit jo të suksesshëm të situatës politike, vendi u ballafaqua me nje krizë më të rëndë politike që nga viti 2001, me marrëdhënie ndëretnike të brishta; progress të limituar të reformave në administratën publike; mosrealizim të reformave të nevojshme në sistemin gjyqësor; përkeqësim në vazhdimësi të marrëdhënieve ndërfqinjësore – me Greqinë e Bullgarinë në vecanti; montime të ndryshme politike me pasoja fatale per jetën e njerëzve; progress jo të mjaftueshëm për funksionimin e tregut të lirë; nivel të lartë të papunësisë dhe largimin masiv të të rinjve që mund të lën vendin pa masën kritike të nevojshme për sjellje të ndryshimeve pozitive.

 

Sfidat aktuale në vendet e UE

 

Gjenerata e tretë pas luftës së dytë botërore të vendeve anëtare të Unionit Europian, veten e ndjenin si europian e pastaj identifikoheshin me përkatësinë etnike. Unioni Europian si bllok i 28 vendeve me 503 milionë banorë ka të etabluar monedhën dhe mekanizmin e kursit të këmbimit dhe paraqet ekonominë e dytë më të fuqishme në botë. Megjthatë, kriza ekonomike në eurozonë konsideroheshte si sfidë më e madhe e UE që nga ekzistimi i saj, pasojat e Brexit-it, kriza e refugjatëve si dhe pakënaqësitë e vazhdueshme në disa nga vendet anëtare janë probleme që mund të shkaktojnë kokëdhembje në UE. Gjatë këtij viti në Europë dominojnë zgjedhjet që veç më deshmon të jetë një shfaqje midis establishmentit aktual dhe oportunistëve politik që shfrytëzojnë pakënaqësinë popullore. Zgjedhjet janë esenca e demokracisë që rezulton me vazhdim ose jo të ngjyrës qeverisëse. Këtë vit si asnjëherë më parë, ekziston mundësia që partitë populiste me udhëheqësi të patestuara, duke përshirë edhe grupet raciste dhe anti imigrante, të marrin në udhëheqje vende mjaft të rëndësishme të Unionit Europian. Diskursi politk në Europën aktuale ka të bëjë me: mundësinë e largimit nga euro zona si nxitës real i eksportit; liberalizmin ekonomik si një forcë shtytëse e kapitalizmit kreativ që mundësoi një numër i madhë i vendeve të punës të transferohen në vendet me krah më të lirë pune; liberalizimin social me inkluzion të varfërve dhe imigrantëve,që nga popullistët europian shihet si dëshpërim që krijoi geto ku lulëzon kriminaliteti dhe aktet terroriste në vazhdimësi në kryeqendrat europiane rritën skepticizmin e besimit se siguria dhe paqja ka të bëjë me solidaritetin dhe bashkëpunimin europian.

 

Vlerat europiane – alternativë e vetme

 

Unioni Europian arriti që ta përhap demokraci, stabilitet, siguri dhe prosperitet në pjesën më të madhe të kontinentit europian. Zgjerimi i UE-së mundësoi benefite ekonomike për anëtarët e ri, anëtarët ekzistues por edhe dha një peshë strategjike edhe vetë UE-së në botë. Vlerat bazë të qëndrueshmërisë europiane janë të bazuara në principet e lëvizjes së lirë të mallrave, shërbimeve, punës dhe kapitalit; të drejta të barabarta të cdo qytetari para ligjeve europiane; barabarësinë mes vendeve të UE; transfere markante finansiare nga vendet më të pasura në ato më të varfëra duke i inkluduar edhe vendet kandidate për anëtarësim. Situata aktuale politike në Maqedoni ngjason me situatën aktuale të shekullit të 19-të, atëherë kur Rusia bënte tentativa të jashtëzakonshme për zgjerimin e influencës në këtë territor. Moska, njësoj sikur atëherë, sot aktivisht politizon tensionet religjioze dhe etnike në Ballkan, e në Maqedoni në veçanti. Në formën më perfide Moska shfrytëzon ekonominë stagnuese dhe papunësinë e lartë si dhe udhëheqësinë korruptive të vendit që më parë do të heqnin dorë nga anëtarësimi në UE se sa nga fuqia e tyre. Populli e bëri zgjidhjen në mes të frustracionit dhe dëshpërimit nga njëra anë dhe jetës më të mirë në anën tjetër. Populli në Maqedoni është i uritur për liri, për barabarësi para ligjit, mirëqenie ekonomike dhe sociale, institucione të qëndrueshme që garantojnë sundimin e të drejtës dhe të ligjit; luftë të pakompromistë kundër korupsionit; mediume të lira. Vlerat që i ndajmë ne janë vlera europiane, që paraqiten si alternativë e vetme për ardhmërinë e vendit tonë ku nuk ka më vend për politikanë të koruptuar.



Loading...
Propellerads

Leave a Reply