Policia e Shtetit ka ndërmarrë një operacion të gjerë antikanabis në disa zona të vendit. Sipas informacioneve të para janë mbi 300 forca policie të angazhuara në disa qarqe, njofton TCH.

Operacionet masive në zonën e Shkodrës, Vlorës dhe Gjirokastrës, shtrihen në zonat e Dukagjinit, Lumit të Vlorës, Kurveleshit dhe Memaliajt.

Policia Kufitare dhe Specialistët e Hetimit të Narkotikëve sekuestruan 12 kg kanabis dhe arrestuan në flagrancë shtetasin Hamdi Nderjaku, 51 vjeç, banues në Shijak. Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë në kamionin tip  Renault që drejtohej nga 51-vjeçari, në kabinë u gjet sasia e drogës me destinacion Italinë.

Ndërsa në Malësi të Madhe policia sekuestroi 42 kg e 350 gramë lëndë narkotike kanabis në momentin që transportohej për në Mal të Zi nëpërmjet kufirit tokësor, në një zonë malore të pyllëzuar. Policia ka konstatuar dy persona të cilët po lëviznin në drejtim të kufirit me Malin e Zi dhe është vënë në ndjekje, por për shkak të terrenit të thyer malor dhe kushteve atmosferike jo të favorshme, nuk mundi të identifikojë transportuesit. Droga e braktisur ishte ndarë në 38 pako të mbështjella me natriban.

Në Vlorë, gjatë operacionit antikanabis të shtrirë në fshatrat Kuç, Kallarat, përgjatë lumit Vjosë e deri në Mesaplik, janë sekuestruar 41 kg lëndë narkotike. Policia arrestoi në flangrancë Fredinant Mile, 47 vjeç, banues në Vlorë, si pronar i drogës.