Magjia e një ulliri dhe Sislej Xhafa

Anila Shuka

“Shadow of curls” (11 nëntor – 23 dhjetor 2017) ekspozita e parë vetjake Sislej Xhafas në Berlin ka 15 vepra, shumica syresh “ready mades” në stilin e Duchamp-it dhe i fton vizitorët të marrin pjesë me përsiatjet e tyre. Një sprovë Jona, që është ende katër vjeç, ka një zakon: tek ecën rrugëve, ndalet për të prekur çdo pemë. E ledhaton dhe i thotë: “Të kam xhan”.Por mbi ullirin e vendosur në një qoshe pas dere në ekspozitën e Sislej Xhafës në Berlin, shoh një copë letër “dont touch me” (mos më prek).

Diçitura është pjesë e performancës dhe të bie në sy që i mungon apostrofi. Pema i ka rrënjët në një pirg dheu të hedhur mbi dyshemenë e fortë dhe sipas artistit përfaqëson “bukurinë, tokën, diçka që nuk është prona jonë, por që prapë është pjesë e jetës sonë”, siç thotë ai në intervistë me Craig Burnett-in, drejtorin e programit të galerisë South Blain, në degën berlineze të së cilës janë ekspozuar veprat.. “shadow of curls” e ka titulluar Sislej Xhafa ekspozitën e tij të parë personale në Berlin, një titull që artisti vetë nuk preferon ta përkthejë. Sepse edhe titulli vetë është pjesë e performancës.

Janë 15 objekte të së përditshmes, të ashtuquajtura ready mades, të cilat ai i ka mbledhur në Berlin dhe që të vendosura në ekspozitë, ofrojnë hapësira reflektimi. Sikurse në instalimin e Bienales së Venecias 2017, “lost and found”, prezantimi zyrtar i Kosovës, Xhafa vijon traditën e artit konceptual të stilit të Marcel Duchamp-it, duke e ftuar vëzhguesin për pjesëmarrje me përsiatjet e veta. Unë bëj një sprovë: Ulliri ofrohet për komunikim, por kërkon të respektohet. Kjo lutje përfshin edhe respektimin e ortografisë pa apostrof.

Dhe me të drejtë, ulliri, kjo pemë mesdhetare që ka aftësinë ta ruajë freskinë për qindra shekuj – madje ulliri më i vjetër i Kretës thuhet të jetë katërmijë vjeçar – e ka nisur komunikimin me mjedisin, shumë kohë para shpikjes së apostrofit, këtij konvencioni drejtshkrimor katërqind vjeçar. Mua personalisht ulliri më kujton stërgjyshen time greqishtfolëse, që ish lerë e rritur mes ullinjve të rivierës shqiptare, së cilës nuk iu nevojit kurrë apostrofi për të më dhuruar atë dashuri dhe ngrohtësi që në kujtimet e mia kanë mbetur magjike, megjithëse nuk e kuptova kurrë se ç’më thoshte në greqisht.

Kështu që ky ulli është për mua simbol i vendlindjes, që në të rri e marrim si të mirëqenë dhe e braktisim për një ëndërr, që ne e quajmë liri. Lirinë e ndesh te tri tablotë e mëdha të varura në murin e majtë të hollit, të titulluara “raw breeze”: Tri piktura, në pamje të parë vetëm të bardha. Kërkohet një vështrim më i vëmendshëm për të shquar mes asaj bardhësie disa hije të lehta që marrin trajtën e telave me gjemba.

“Për mendimin tim, liria nuk është nocion teorik, por përvojë”, thotë Xhafa në të njëjtën intervistë. “Jemi ne vetë që vendosim se si dhe kur na merret liria”. E krahasoj këtë mendim me përvojën time dhe shoh në “raw breeze” përballjen me një paradoks: liria e brendshme mund të jetë një zgjedhje, një akt çlirimi individual, një ngadhënjim mbi identitetin e imponuar, por edhe ajo mbetet një “burg”.

Dhe shtroj pyetjen: A mos është liria iluzion? Ekspozita e parë personale e Sislej Xhafas në Berlin përmban 15 instalime të shpërndara në dy kate dhe pothuajse të gjitha prezantojnë situata paradoksale. Një dyshek me kaktuse (stinging pocket), një skelet çadre prej betoni (dry shade), një frigorifer me një vrimë (desert in hole), objekte që më kujtojnë diçka të parealizueshme, por reale. Më ndërmendin rendjen pas dëshirave, ëndrrave, ndoshta pas ideve fikse, pa e vënë në pikëpyetje vlerën e tyre. Para tri pikturave është hedhur një torbë plastike.

Brenda saj një shandan. Këto dy ready-mades janë në kundërshti me njëra-tjetrën. Në”still life on left lane” (natyrë e qetë në korsinë e majtë) trasta duket sikur i ka rënë dikujt në ikje e sipër. Xhafa vetë thotë në një intervistë për revistën “monopol”: “Gjithkush ëndërron të parakalojë nga e majta.

Çfarë marrim me vete në udhëtimin tonë? Me cilat objekte jemi të lidhur? Cilat vlera mbartim?” Trasta me shandan më kujton ekzistencën e një emigranti pas një jete materialisht më të mirë, ose të një refugjati që ka humbur sofrën dhe endet në perëndim në kërkim të një sofre të re. “Nuk dua të tregoj vuajtje dhe dhimbje” thotë artisti.

“Ato i shohim me bollëk kur ndezim televizorin”. Sislej Xhafa u lind në Pejë, në vitin 1970 dhe është rritur në Prishtinë në një ambient të lidhur me artin bashkëkohor, por, si shqiptar në Kosovën e fundshekullit XX, as atij nuk i është kursyer përvoja e shtypjes kolektive, ku nocione si liria, identiteti, vendlindja, atdheu kërkojnë një ripërkufizim. Tani ai banon prej kohësh në Nju Jork dhe ekspozon në rang ndërkombëtar.

Shumë vepra të tij kanë sfond biografik dhe mund të interpretohen si prononcime politike. Por ky nuk është qëllimi i Sislej Xhafas. Më thotë se për të ka më shumë rëndësi të ngjallë te shikuesi asociacione, emocione që në komunikim me objektin e vendosur në galeri krijojnë një atmosferë magjike. “Çdo vepër e ka një histori të vetën, një histori të cilën e dërgojmë dhe e ndajmë, por më e rëndësishmja është që ndaj veprës të krijohet ajo përvojë magjike”.

Dhe e parë nga kjo perspektivë, mua më duket se ekspozita e parë e Sislej Xhafës, e cila qëndron e hapur deri më 27 dhjetor në degën berlineze të galerisë Blain Southern mund të merret edhe si një poezi, ku çdo diçiturë është një varg më vete që kërkon reflektim individual. Para se të dal prej ekspozitës, shoh dhe njëherë pemën e ullirit që më kundron nga cepi dhe mendoj se ajo është e vetmja nga këto objekte që e ka zbuluar prej kohësh sekretin e rinisë së përhershme, ëndrrën tonë të paarritshme, dhe prapëseprapë e ka ruajtur lëndueshmërinë dhe modestinë.

Dhe prapë më kujtohet stërgjyshja ime, që megjithë hidhërimet që i kish rezervuar jeta, nuk e humbi kurrë optimizmin dhe forcën për t’i bërë ballë jetës deri në fund pa aparatura jetëmbajtëse. Jona më shikon ende me sy lutës dhe pyet: “Çfarë do t’i ndodhë pemës, po ta prekim?” “Është histori e gjatë”, i them. “Do të ta rrëfej një herë tjetër.”

20 nëntor 2017 (gazeta-Shqip.com)



Loading...
Propellerads

Leave a Reply