LOJËRAT E BRENDSHME NË BOGOVINË, MBESIN PA PAGA 500 TË PUNËSUAR

Lojërat politike dhe kalkulimet partiake rrezikojnë të lënë edhe më tej pa paga 500 të punësuar në administratën, ndërmarrjet dhe shkollat fillore të kësaj komune të cilët edhe ashtu tani e dy muaj nuk kanë marrë paga. Sindikata rajonale e Arsimit dhe Shkencës e Maqedonisë anuloi protestën e paralajmëruar për sot pas premtimit që kishin marë nga kryetari i Këshillit të Komunës se brenda dy ditëve do të zgjidhet ushtruesi i ri i detyrës kryetarë komune, pas vrasjes së ish kryetarit Azbi Idrizi dy muaj më parë. Por, burime brenda komunës i kanë konfirmuar televizionit Shenja se situata në çdo çast vështirësohet edhe më shumë pikërisht për shkak të lojërave politike dhe marëveshjeve ndërpartiake që zhvillohen në momentet e fundit. Sipas të njëjtit burim, BDI tanimë ka humbur shumicën në këshillin komunal dhe se shumicën e re tani e përbëjnë këshilltarët e PDSH-së, RDK-së dhe një këshilltar i pavarur, i cili është larguar nga BDI.Ky i fundit është pretendent për të marrë ulësen e ushtruesit të detyrës së kryetarit dhe i njëjti ka pasur mbështetjen e këshilltarëve të opozitës. Këshilltarët të cilët në vitin 2013 garuan nën siglën e PDSH-së dhe ata të RDK-së, kanë kërkuar që kryetari i këshillit të thërret mbledhjen dhe nëse ai nuk e bën këtë ata kanë paralajmëruar se vetë do të inicojnë mbledhje dhe në prezencë të një inspektori të Ministrisë së Pushtetit Lokal do të zgjedhin kryetarin e përkohshëm deri në zgjedhjet lokale. Por, ajo që ka komplikuar edhe më shumë situatën, sipas burimeve të Televizionit Shenja janë marrëveshjet e liderëve partiak që janë bërë në momentet e fundit. Sipas informatave jozyrtare, njëri nga liderët e partive opozitare ka kërkuar nga këshilltarët e partisë së tij që të mbështesin kandidatin e BDI-së.

Por, kjo marrëveshje komplikon edhe më shumë situatën pasi barazon shifrat në këshill dhe nuk i jep shumicën e nevojshme asnjërit bllok, as BDI-së dhe as grupit të këshilltarëve opozitarë. Në këtë rast asnjëra palë nuk ka as kuorum e as shumicën e nevojshme për zgjedhjen e ushtruesit të detyrës kryetar komune. Nëse kjo ndodh atëherë të punësuarit në administratë, ndërmarrje dhe shkollat e Komunës së Bogovinës do të ngelin edhe pa pagën e tretë. Paga për muajin qershor ligjërisht duhet të paguhet më së voni deri më 15 korrik, që nënkupton se për realizimin e kësaj pagese kanë në dispozicion vetëm edhe katër ditë.
Arben Zeqiri / SHENJA



Loading...
Propellerads

Leave a Reply