Gruevski nuk iа jep stafetën Zaevit

Maqedonia gjithmonë ka pasur sistem të brishtë politik, institucione shtetërore të pakonsoliduara deri në fund, ka pasur kulturë të ulët politike, partia nuk ka qenë e ndarë nga shteti, por gjithmonë ka ndodhur transferimi i pushtetit në mënyrë të qetë nga njëra parti ose koalicion te tjetri.

Shkruan: Sefer TAHIRI, Shkup

Në vitin 1990, edhe pse VMRO-DPMNE-ja kishte më shumë deputetë, nuk mori mandat për formimin e qeverisë, njësoj siç nuk mori edhe në vitin 1992 kur ra nga pushteti qeveria e ekspertëve, e drejtuar nga Nikolla Klusevi, profesor i ekonomisë. Në vitin 1994 opozita e atëhershme maqedonase, e drejtuar nga VMRO-DPMNE dhe Partia Demokratike e Petar Goshevit do t’i bojkotojnë zgjedhjet parlamentare, që sot ish lideri Lubço Georgievski ta komentojë si hapin shumë të gabuar politik, pasi iu mundësua Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, e drejtuar nga Branko Cërvenkovski, që, pa betejë, ta drejtojë vendin deri në vitin 1998. Ishte e qartë se pas dështimeve në planin ekonomik dhe ndëretnik, LSDM-ja do të përshëndetej me pushtetin. Kështu erdhi VMRO-DPMNE, PDSH dhe Alternativa Demokratike e Vasil Tupurkovskit. Në 2001 ndodhi lufta dhe, midis tjerash, kjo luftë, e cila mori karakter ndëretnik, e goditi drejtpërdrejt VMRO-DPMNE-në, të cilën e mundi bindshëm LSDM-ja, ndërsa PDSH-në e mposhti, siç edhe pritej, BDI-ja, e dalë nga krahu i luftës.

Në një situatë dëshpërimi nga hapat që u ndërmorën në luftë nga Lubço Georgeivski si kryeministër dhe partia e tij VMRO- DPMNE, popullata maqedonase e ndëshkoi të djathtën, duke e risjellë në pushtet për të tretën herë me radhë të majtën ose socialdemokratët. Përderisa maqedonasit votuan me dëshpërim, shqiptarët votuan me eufori! Kishte entuziazëm të madh në zgjedhjet e 15 shtatorit të vitit 2002, entuziazëm për jetë më të mirë, për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, për kushte më të mira për biznes, më shumë të drejta kolektive të shqiptarëve. Meqë shqiptarët nuk kishin dalë humbës nga lufta, edhe u imponuan në tavolinën e bisedimeve, të cilat shpien drejt Marrëveshjes së Ohrit, e cila në atë kohë tingëllonte mirë edhe nga këndvështrimi shqiptar, pasi në të ngërtheheshin synimet themelore legjitime politike të shqiptarëve, të adresuara vite me radhë përmes Partisë së Prosperitetit Demokratik, Partisë Demokratike Popullore dhe Partisë Demokratike Shqiptare. Më vonë do të ketë zhgënjim, por i njëjti do të jetë i pamjaftueshëm për ta sfiduar BDI-në, edhe pse PDSH-ja deri më 2008 tentoi t’ia hedh BDI-së, duke hyrë në pushtet me Nikolla Gruevskin.

Përderisa në kampin shqiptar ndryshimi faktik dhe real politik nuk ndodhi, te maqedonasit ndodhi fenomeni i ndëshkimit politik, një fenomen shumë i pranishëm në historinë pluraliste të Republikës së Maqedonisë. Socialdemokratët do ta humbin pushtetin në vitin 2006, më shumë si pasojë e mosrealizimit të programit ekonomik, i cili kishte në vete shumë premtime të ngjashme me këto që sot i ka LSDM-ja dhe Zoran Zaevi, i cili synon mandatin nga presidenti Ivanov. VMRO- DPMNE nga 2006 deri më sot është në pushtet, deri në 2008 në një koalicion “strategjik” me PDSH-në, i cili si jolegjitim që ishte u tregua joefikas dhe jofrytdhënës edhe në aspektin e funksionimit të institucioneve, sidomos të Kuvendit. Nga viti 2008 partneriteti strategjik i koalicionit deri në dhjetor të vitit 2016 vazhdon me BDI-në e Ali Ahmetit, një koalicion i cili u tregua se e respekton parimin “fituesi me fituesin”, por jo edhe parimin e kompatibilitetit ndërmjet programeve politike të të dyja subjekteve që e formuan qeverinë.

Nga e gjithë kjo histori politike konstatohet lehtë se gjithmonë ka pasur kalim të qetë të pushtetit në Maqedoni. Janë ndërruar partitë, kryeministrat dhe ministrat. Ka pasur raste kur kryeministri e ka pritur shefin e ri të qeverisë në zyrë, kanë pirë kafe dhe gjithë kjo sipas traditës së mirë demokratike të shteteve perëndimore, në të cilat nuk ka gjë më të natyrshme sesa të kalojë pushteti nga një parti ose nga disa parti te disa tjetra. Demokracia i ka rregullat e saj të lojës dhe ato në Evropë respektohen me përpikëri, ndërsa Maqedonia është ende larg demokracisë evropiane, si vlerë civilizuesve, pasi sjellja e politikanëve është tipike ballkanase, një sjellje politike e gërshetuar me klientelizëm dhe interesa klanore e grupore.

VMRO-ja kërcënohet në emër të popullit maqedonas

Në vitin 2017, edhe pse më parë askush nuk do të kishte parashikuar devijim të këtillë të demokracisë, do të ndodhë fenomeni i suspendimit të demokracisë dhe i sistemit politik demokratik, me gjithë postulatet që i ka në brendinë e funksionimit të tij organik. VMRO- DPMNE-ja, edhe pse fituese e numrit më të madh të deputetëve, sillet sikur ta ketë fituar shumicën absolute të deputetëve, pra të ketë fituar 61 nga 120 aq sa ka Kuvendi i Maqedonisë. Ndonëse nuk e ka gjetur gjuhën e përbashkët me partitë shqiptare dhe, si rrjedhojë nuk ka mundur të formojë qeverinë e re, VMRO-DPMNE-ja nuk ia lejon Lidhjes Socialdemokrate formimin e qeverisë, edhe pse kryetari i saj i ka siguruar firmat e 67 deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë, midis të cilëve edhe dhjetë të BDI-së, pesë të BESËS dhe tre të Aleancës për Shqiptarët.

Kushtetuta e Maqedonisë e përcakton qartë se mandati i jepet partisë ose partive që e kanë siguruar shumicën parlamentare. Në mungesë të argumenteve përkatëse logjike, politike dhe juridiko-kushtetuese, VMRO-DPMNE-ja me ngulm reziston ndaj formimit të qeverisë së re të Zaevit. Ajo i ka nxjerrë në rrugë mbështetësit e saj “joqeveritarë”, ndërsa organizatorë të protestave që, ironikisht, quhen “Për Maqedoni të përbashkët”, kryesisht janë drejtorët e institucioneve të ndryshme kulturore-shtetërore, por edhe aktorë të angazhuar në projekte kulturore qeveritare, në të cilat kanë fituar qindra mijëra euro. Ironikisht, pasi në to brohoritet “Për Maqedoni të pastër” dhe “Vdekje shqiptarëve”. Protesta që kanë ekskluzivitet etnik dhe nuk janë aspak inkluzive, siç ishin protestat  Revolucionit Laraman të opozitës maqedonase pas skandalit të përgjimeve telefonike.

Gruevski s’dorëzohet, e akuzon Zaevin për tradhti!

VMRO-DPMNE-ja dhe lideri i saj, Nikolla Gruevski, e kundërshtojnë kalimin e qetë të pushtetit tek LSDM-ja dhe partitë e bllokut shqiptar, të cilat kanë siguruar shumicën në institucionin ligjdhënës. Një ditë në shenjë refuzimi nxorën edhe traktorë para qeverisë, ndërsa argumenti kryesor i cili përdoret kundër mandatimit të Zaevit dhe kalimit të pushtetit te LSDM-ja është Platforma Shqiptare, e cila në fakt është Deklarata e Partive Politike Shqiptare në Maqedoni. Kjo Platformë prezantohet në mediat proqeveritare si Platforma e Tiranës, si ndonjë gogol, si ndonjë dokument antimaqedonas, dokument tradhtar, që e ndan Maqedoninë në njësi federale, një dokument që e ridefinon sistemin e saj juridiko-kushtetues, edhe pse në fakt – përjashto gjuhën shqipe – çështjet e tjera, si barazia ekonomike, sundimi i së drejtës, integrimi euroatlantik, marrëdhëniet e mira me fqinjët, përfshirja e shqiptarëve në bisedimet për emrin me shtetet fqinje, janë segmente që nuk targetojnë politikisht vetëm shqiptarët, por të gjithë qytetarët e vendit. Gruevski është bërë pak sa patetik në thirrjet e tij drejtuar popullit, nga i cili kërkon që ta mbrojë shtetin, i cili – sipas tij – për të huajt është fëmijë i paplanifikuar jashtëmartesor. “Është e nevojshme që populli ta mbrojë shtetin e tij, sepse shtetin mund të mos e kemi. Të mos mendohet se nuk e kam thënë, ja po e përsëris: nëse populli nuk e mbron shtetin, mund ta humbasë”. Gruevski, si shpëtim për t’i ikur kalimit në opozitë dhe ballafaqimit me drejtësinë, i sheh zgjedhjet e parakohshme parlamentare, madje bashkë me zgjedhjet vendore. Nëse ndodhë e kundërta, Gruevski thotë se populli do ta ketë situatën në duart e veta. “Le ta mendojë ai që shkon kundër popullit. Askush nuk mund ta dijë se si do të reagojë populli ndaj asaj që e bën Zaevi”, tha Gruevski. Në fakt ai, duke pamundësuar që presidenti Ivanov t’ia japë mandatin Zaevit, duke u thirrur në rrezikun inekzistent për cenim të sovranitetit dhe integritetit territorial, kërkon uljen në tavolinën e negociatave, kërkon “Përzhinë 3”, sidomos i inkurajuar pas deklaratës së AliAhmetit se për të funksionuar Kuvendi nevojitet pëlqimi i të gjitha palëve që e kanë shumicën te maqedonasit dhe shqiptarët, pra edhe të VMRO-DPMNE-së.

Pjesëmarrja e qytetarëve maqedonase, edhe pse jo me ndonjë masivitet të theksuar, në protestat antizaeviste dhe antishqiptare, e imponon Gruevski si faktor në tavolinë! Ky insistim i tij, megjithatë po has në veshë të shurdhër tek oponentët politikë. LSDM-ja thotë se Gruevski ka marrë fund dhe duhet të përballet me drejtësinë, ndërkombëtarët, sidomos Han, kërkojnë kalim të qetë të pushtetit dhe qeveri reformatore, ndërsa Gruevski dhe VMRO- DPMNE-ja, nën emrin e interesave nacionale dhe shtetërore, tentojnë ta kamuflojnë interesin e tyre për t’iu shmangur drejtësisë dhe Prokurorisë Speciale. Duke dashur të mos ballafaqohen me të bëmat e tyre dhe krimin e organizuar, si vepër e tyre, tentojnë t’i ndezin marrëdhëniet ndëretnike, të cilat janë stabile. Një fjalë e urtë popullore thotë “Kush luan me zjarr, mund të digjet edhe vetë”!



Loading...
Propellerads

Leave a Reply