Doktori shënjestron Bejtën: BDI dhe Nevzat Bejta e kanë shkatëruar ardhmërinë e Gostivarit

Me këtë shkrim do të mundohem ta ofroj një propozim për ndryshim, një vizion për ardhmërinë, dhe një zgjidhje për problemet e grumbulluara të Gostivarit.
Si qytetar i Gostivarit, jam i alarmuar dhe i dëshpëruar nga dëshmitë e përditshme për shkatërimin ekonomik, politik, social, dhe fizik të Gostivarit. Papunësia ekstreme është duke e shkaktuar një shpërngulje masive të popullsisë, dhe më e keqja është se largohet rinia. Për shumicën e qytetarëve të Gostivarit, kjo është hera e parë që e përjetojmë një shpërngulje me përmasa të këtilla. Mjerisht, është e qartë se Kryetari aktual i Gostivarit dhe partia politike të cilën e përfaqëson ai nuk kanë asnjë plan për ndaljen e kësaj shpërngulje. Sikur kjo nuk mjafton, Kryetari aktual me mosluftimin e ndotjes ekstreme të ajrit, me instalimin e diktaturës dhe me shkatërimin e bizneseve private e stimulojnë këtë shpërngulje. Të gjithë jemi dëshmitarë të autobusave të shumtë që mbushen me të rinjtë e Gostivarit që shkojnë në perëndim që ta kërkojnë fatin e tyre për punësim, sepse në Gostivar ka punësime vetëm për ata me libreza të BDI-së që janë të kyçur në rrethin e ngushtë të Nevzat Bejtës!
Dikur, besojsha se BDI dhe Nevzat Bejta do të dijnë ta tejkalojnë krizën politike, ekonomike dhe të ndotjes ekstreme të mjedisit që e ka kapluar Gostivarin, dhe se kriza do të bëhet pjesë e historisë. Tani, e shoh se Nevzat Bejta e kërkon edhe mandatin e tretë për Kryetar komune, edhepse edhe vetë e din se personalisht ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në thellimin dhe përkeqësimin e krizës së Gostivarit!
Nevzat Bejta jo vetëm që deri tani nuk ka bërë asgjë për parandalimin e ndotjes së ajrit, por e ka përkeqësuar krizën ekonomike dhe me diktaturën e imponuar ndaj qytetarëve e ka stimuluar në mënyrë direkte shpërnguljen e të rinjve të Gostivarit. Kur e mendoj këtë situatë më rrok një nervozë e brendshme sepse e di se Gostivari din dhe mund të dalë nga kjo krizë. Prandaj i ftoj të gjithë qytetarët e Gostivarit që të veprojmë të gjithë së bashku dhe ta parandalojmë këtë shpërngulje masive dhe ta ndalojmë këtë ndotje të paarsyeshme të ajrit të Gostivarit. Papunësia ekstreme, diktatura dhe ndotja intenzive e ajrit e parandalojnë mundësinë e Gostivarit që të përparojë ekonomikisht. Ajri i ndotur ka ndikim direkt negativ ndaj shëndetit të qytetarëve dhe pasojat e kësaj ndotje do ti ndjejmë edhe gjatë kohë pasi të mënjanohet problemi i ajrit të ndotur. Nga kjo ndotje e ajrit ndikohen negativisht të gjithë qytetarët pa përjashtim, ndërsa dëmet më të mëdha ndodhin tek bebet, fëmijët, të moshuarit dhe qytetarët që vuajnë nga sëmundje kronike të mushkërive dhe/ose të zemrës.

Të thuash se kjo krizë e thellë është një krizë normale sugjeron se ngjarjet e këtilla janë të pashmangshme, dhe se jemi të pafuqishëm ndaj saj. Rrefuzoj ta pranoj një gjë të tillë! Lidhja ndërmjet krizës politike të shkaktuar nga BDI-ja, nga diktatura e Nevzat Bejtës, dhe krizës ekstreme ekonomike është shumë e qartë. Me shpërnguljen e të rinjve, vdes Gostivari. Nëse ngelim në këtë shteg, kriza ekonomike jo vetëm që do të vazhdojë, por edhe do të përshpejtohet.

Është rëndë të llogaritet dëmi ekonomik i Gostivarit që shkaktohet nga BDI-ja dhe Nevzat Bejta dhe përveç kësaj duhet të mendojmë edhe për shumë anë të kësaj krize. Si duket jeta e një qytetari të rëndomtë në një krizë kaq të madhe ekonomike? Si mund ta vendosh një vlerë në para për një jetë njerëzore? A mundet një çmim në para ta kapë vlerën e mungesës së një prindi për një fëmijë? A mundet një çmim në para ta kapë vlerën e mungesës së ajrit të pastër, ujit të shëndetshëm për pije, ushqimit të pastër dhe të shëndetshëm, sipërfaqeve të gjelbërta, rrugëve dhe hapësirave publike të rregulluara ashtu qi i ngjan një qyteti, … mungesës së një spitali ku ka rend, barna, pajisje moderne, pastërti dhe shërbim të shpejtë dhe cilësor?

Kur i parashtrojmë këto pyetje, është me rëndësi të jemi të vetëdijshëm se bara më e madhe ekonomike dhe sociale e diktaturës së BDI-së dhe Nevzat Bejtës bie mbi shpatullat e atyre që edhe ashtu janë të margjinalizuar në shoqëri: familjet pa të ardhura ose me të ardhura minimale, personat me pengesa në zhvillim, pleqtë dhe bashkësitë e diskriminuara.

Pasi pasojat e ndotjes së ajrit janë të tmerrshme, është koha që të bashkohen qytetarët e Gostivarit dhe ta përkrahin vendosjen e një çmimi të lartë për dëmtimin e shkaktuar nga ajri i ndotur. Edhepse është shumë rëndë të mendohet për çmimin e sëmundjeve dhe të vdekjeve të shkaktuara nga ajri i ndotur, kjo është gjuha e vetme të cilën e kuptojnë kompanitë private. Prandaj, ne si shoqëri do të detyrohemi që ta përcaktojmë një çmim për çdo pasojë shëndetësore ose vdekje të shkaktuar nga ndotja e ajrit. Me parashtrimin e kërkesave gjyqësore që ta paguajnë këtë çmim për çdo të sëmurë dhe/ose të vdekur si pasojë e ndotjes së ajrit në Gostivar do ti detyrojmë edhe ndotësit që të mos ta trajtojnë ajrin e Gostivarit si deponi ku mund ti shkarkojnë mbeturinat e tyre toksike! Parashtrimi i kërkesave gjyqësore jo vetëm që do ti vetëdijësojë ndotësit për dëmin që e shkaktojnë, por është një zgjidhje elegante me të cilën do të zvogëlohet numri i ndotësve, do të zvogëlohet sasia e helmeve që hudhen në ajër, dhe më në fund do ta përshpejtojë edhe kalimin në teknologji të reja që ndotin shumë pak ose nuk ndotin fare.

Përvoja e shteteve të perëndimit tregon qartë se pastërtia e ajrit është profitabile. Masat e ndërmara për zvogëlimin e ndotjes së ajrit do të rezultojnë me përmirësim të shëndetit të popullatës dhe me zgjatjen e jetës mesatare të qytetarëve tanë. Me përmirësimin e shëndetit të popullatës zvogëlohen harxhimet për mjekim dhe kujdes shëndetësor, rritet produktiviteti i qytetarëve dhe zvogëlohet numri i pushimeve mjekësore. Përveç asaj, me përmirësimin e pastërtisë së ajrit zmadhohen mundësitë për zhvillimin e turizmit dhe të prodhimit të prodhimeve bujqësore organike. E gjithë kjo do të mundësojë një zhvillim ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës!

Kriza aktuale ekonomike e Gostivarit dhe sjellja diktatoriale e pushtetit aktual lokal ma sjellin një vizion paralajmërues se si do të duket ardhmëria jonë: familjet e stërngarkuara nga kriza ekonomike që fillojnë të vuajnë pasoja shëndetësore nga skamja; të rrinjtë që ikin nga Gostivari nga diktatura, kriza ekonomike dhe nga mungesa e aktiviteteve dhe institucioneve kulturore, artistike dhe sportive; ikja e familjeve të tëra si pasojë e mungesës së sigurisë publike (shërbimi i zjarrfikësve që aktualisht punon me pajisje të amortizuara dhe me numër të vogël të zjarrfikësve, shërbimi i dobët i policisë, dhe shërbimi shëndetësor që veç funksionon në kushte mesjetare); rritja e numrit të qytetarëve me sëmundje kronike të rënda të mushkërive si pasojë e ndotjes ekstreme të ajrit, dhe më në fund rritja e numrit të qytetarëve me sëmundje të ndryshme si pasojë e mungesës së ujit të pastër dhe të shëndetshëm … një vizion katastrofik që veç realizohet!

Pasi kriza ekonomike në Gostivar vazhdon të përkeqësohet, rëndësi të veçantë duhet ti kushtojmë gjetjes së zgjidhjeve ekonomike dhe ta ndalim menjëherë ndotjen intenzive të ajrit.

Me pushtetin aktual lokal rinia e Gostivarit, që ka edhe shumë vite për të jetuar, nuk ka perspektivë për punësim, por ka një zgjedhje të pastër. Ose do ta pranojë papunësinë ekstreme dhe ndotjen intenzive të ajrit si normale e re – do ta pranojë Gostivarin si një qytet në vdekje dhe të ik nga Gostivari – ose do të angazhohet për ndrim të pushtetit aktual lokal dhe do të kujdeset që kryetari i ardhshëm ta bëjë Gostivarin më të jetueshëm duke ndërmarë masa për parandalimin e ndotjes dhe për krijimin e mundësive ekonomike. Ky nuk është një vendim politik; është një vendim që ka të bëjë me mbijetesën ekonomike dhe atë fizike!

Ju falënderoj për vëmendjen!

Me respekt,

dr. Ahmet Sallmani

/gostivari24/



Loading...
Propellerads

Leave a Reply