Dashuria robëruese e Maria Kalas

Ajo nuk mundi ta harronte Aristotel Onasis, miliarderin grek që i pushtoi zemrën dhe I fali një jetë plot pasione dhe drama. Më mirë një dashuri e madhe e përfunduar, sesa një dashuri kurrë e jetuar. Takimi që do ndryshonte rrjedhën e jetës së sopranos greke që në atë kohë po pushtonte me zërin e saj skenat europiane do të ishte në Venecia, në një feste tjetër mondane në Venecia, të organizuar nga Kontesha Uolli e Kastelbarkos, ku midis të ftuarve ndodhen përsëri bashkëshortët Onasis. Kishin kaluar afro një vit e gjysmë qysh kur ishin njohur në festën e Elsa Maksuellit, po në Venecia.

“Madam Kalas, ju jeni me të vërtetë perëndia që imagjinoja. Jam i nderuar që ju kam njohur dhe shpresoj t’ju shoh sërish”, – janë fjalët që i drejtohet miliarderi. Onasis e fton bashkëatdhetaren për një udhëtim me jahtin e tij gjatë verës. Maria nuk jep një përgjigje duke i thënë se i duhet të mendojë për premierën e ardhshme të saj e më pas mund ta shikojë si mundësi. Konsultohet me të shoqin dhe vendosin të pranojnë ftesën e Onasis, për të kaluar verën duke lundruar me jahtin e tij. Aristotel Onasis është një nga njerëzit më të pasur dhe më të fuqishëm të botës.

Grek nga periferia e Izmirit, pas shkatërrimit të familjes dhe varfërimit të saj, si pasojë e pushtimit turk të atij territori, burgoset, torturohet dhe dënohet me vdekje edhe pse adoleshent. Arrin të lirohet dhe emigron në Argjentinë, ku fillon nga zero tregtinë e duhanit të ardhur nga lindja. Njëkohësisht punon si centralinist i shërbimit telefonik, gjë që i jep mundësinë të përgjojë bisedat e sipërmarrësve vendas dhe të kuptojë se ku është me interes për të investuar.

Arrin të fitojë shumë para dhe blen një shoqëri anijesh të vjetra kanadeze në falimentim. Punët i shkojnë mirë dhe nis të blejë anije naftëmbajtëse si dhe të ndërtojë anije nga e para duke arritur, në një kohë të shkurtër, të zotërojë një nga flotat tregtare më të mëdha në botë. Fitimet e tij u shtuan shumë gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur Onasis furnizonte marinën ushtarake amerikane me naftë duke ia shitur me çmim shumë të shtrenjtë.

Më vonë, në vitin 1957, do të themelojë linjën ajrore greke “Olympic Airways” dhe do të ketë një kontroll mbi financat e Montekarlos. Ishte martuar me Athina Levantos, vajza e një armatori tjetër të pasur grek dhe kishte nisur të frekuentonte jetën mondane botërore duke shfaqur një ekzibicionizëm të shfrenuar.

Ishte i njohur për pasionin e tij për divat e famshme, me të cilat kishte lidhur shpesh marrëdhënie si Evita Peron, Greta Garbo e Veronika Lejk. Jahti, që mbante emrin e vajzës së tij, Kristina, ishte bërë i njohur në botë, për luksin e shfrenuar dhe të ftuarit e famshëm që gjendeshin në bordin e tij.

Por dashuria me Maria Kalas do të ishte gjithë jeta e tij. Ajo është e pushtuar nga Aristotel Onasis, ky njeri pa bukuri të veçantë, arrogant, shpesh edhe vulgar që vë në dukje gjithnjë pasurinë e madhe të tij, por që nga ana tjetër mbart një efekt tërheqës, një forcë shprehëse të rrallë si dhe dëshirë të madhe për të jetuar. Zotëronte një besim të madh në vetvete, një siguri dhe simpati, e cila bënte për vete këdo që i gjendej përballë.

Maria e magjepsur kishte rënë në dashuri marrëzisht me atë që do ta thërriste nga ai moment e tutje: “Ari im”. Si femër, ajo nuk kishte provuar kurrë në jetë më parë, një pasion të tillë ndjenjash, siç po i ndodhte me Aristotelin. Ndoshta, deri në atë moment të jetës së saj, dashuria kishte qenë totalisht për skenën, për rolet, për interpretimin, për t’u përballur me platenë e publikut duke e pushtuar atë.

Kishte dashuruar famën dhe suksesin. Tani që i kishte arritur, po kuptonte se zemra e saj ka vend për ndjenja pasioni, për dëshirën e një mashkulli. Akoma më tepër, ka nevojë fiziologjike të ndihet e dëshiruar. Aristotel Onasis i zgjoi këtë dëshirë, e bëri të ndërgjegjësohej për të qenurin femër, me gjak dhe ndjenja. Kur ajo ishte në prag të vdekjes do të shprehej:” Shpërndani hirin tim në detin Egje. Do të përqafoj Ariston tim, nëpërmjet ujërave të detit…”.

Ky do të ishte amaneti i fundit i divës më të madhe të të gjitha kohërave, këngëtares lirike Maria Kalas. Ishte përfundimi i një jete legjendë mbushur me lavdi dhe humbje, përshkruar nga lumturia e pamasë dhe hidhërimi i thellë; nga duartrokitjet e pambarimta, shprehje e suksesit në skenat botërore si dhe vuajtjet e shpirtit; një karakter dëshmues i një force të madhe dhe i një brishtësie delikate; një gërshetim cilësish dhe dobësish njerëzore, si rrallë herë të ndeshura tek një njeri, të mbizotëruara nga fama dhe dështimi, që përcaktojnë dritëhijet e jetës së artistes, por dhe të femrës së jashtëzakonshme.

Kalvari i gjatë i jetës artistike dhe i asaj private do të gërshetohej në mënyrë të tillë sa duket e pabesueshme për të qenë e vërtetë. Është vështirë të gjesh një person tjetër të jetës artistike botërore, që të ketë ngjallur kaq shumë interes publik sesa Maria Kalas, me të cilën mund të thuhet se lindi edhe gazetaria e jetës private në shtypin botëror.

17 korrik 2017 (gazeta-Shqip.com)



Loading...
Propellerads

Leave a Reply