BURIM BAKIU: SI DO ZGJIDHET NGËRÇI

Situata politike në vend duket se po qartësohet. Kjo puna e mandatarit, që kohëve të fundit u bë një ”trofe” i shtrenjtë, mbase u zgjidh. Procesi politik teksa fillon, ku e para e punës është formimi i qeverisë dhe – më pas – reformimi dhe riformimi i institucioneve të tjera shtetërore. LSDM-ja, si bartëse kryesore e përgjegjësisë për qeverinë e ardhshme reformatore, duhet të ketë të qartë se këtë fitore, pra rrëzimin e regjimit VMRO-BDI, e ka falë shqiptarëve si popull dhe partive shqiptare ”opozitare”. Është mirë që sado kudo kemi një VMRO në delirium, njëkohësisht dhe një BDI të dezorientuar. Megjithatë, deri në zhbllokimin e plotë të sistemit duhet goxha punë. Është e pashmangshme që aktorët politikë, sidomos të bllokut të shumicës, të marrin përgjegjësitë e tyre, me këtë rast për formimin dhe riformimin e institucioneve një nga një, duke filluar me formimin e qeverisë e tutje. 
Por, qeveria është institucion edhe politik, gjë që e bën paksa të komplikuar përbërjen e saj, sidomos kur kemi parasysh parimet e partive politike. LSDM-ja dhe të tjerët duhet ta kenë të qartë se qeveri stabile mund të ketë vetëm nëse në të marrë pjesë Lëvizja Besa, duke kujtuar se BDI-ja (por, edhe Aleanca) tashmë janë dakorduar për pjesëmarrje. Kjo për arsye se BDI-ja edhe nga pozita qeverisëse mund të luajë një rol destruktiv, ashtu siç ka vepruar deri më tani. Prandaj vetëm me numrat e Besës mund te sigurohet një qëndrueshmëri në qeverisje. Dhe, së treti, ashtu siç cekëm edhe më lart, është i njëjti bllok i shumicës që e rrëzuan regjimin. 

Kjo sa i përket LSDM, ndërsa për partitë shqiptare është momenti që të shfrytëzohet kjo mundësi jo vetëm për pjesëmarrje në ekzekutiv, por edhe për ta ndryshuar perceptimin se në qeveri nuk inkuadrohesh për përfitime personale materiale, por për shkak të realizimit të synimeve programore.

Sa i përket BDI-së, ata duhet ta dinë se e kanë kapur trenin e fundit dhe këtë e kanë bërë falë miqve. Prandaj këtë duhet ta shfrytëzojnë për t’u reformuar rrënjësisht, sepse – ndryshe – në “stacionin e radhës” do të hyjnë në histori. 

Për këtë arsye jam thellë i bindur se, qoftë si pjesë e pushtetit, qoftë si opozitë, rolin qendror në këtë proces e ka Lëvizja BESA. Si opozitë, do të jetë opozita e parë shqiptare pa hipoteka, që “do ta mbajë për fyti” qeverinë për realizimin e kërkesave të shqiptarëve. Ndërkaq si pozitë, do të jetë amortizuesi dhe penguesi i BDI-së që të mos mund të lejohet nëpërkëmbja e interesit shqiptar. Natyrisht, me kushtin që të jetë e barabartë në bashkëqeverisje. 

Megjithatë, të shohim se si do të rrjedhin punët në ditët në vijim. Varet nga LSDM se a do ta mbajë fjalën. Varet edhe nga BDI, e cila duhet të dëshmojë se është çliruar nga partneri i vjetër (VMRO) dhe po ashtu varet edhe nga Besa, se a do të qëndrojnë në parimet e saj. 

Së paku Bilall Kasami u deklarua se akoma i mbështet pikat e Deklaratës dhe parimet e tjera partiake.



Loading...
Propellerads

Leave a Reply