Ambasadorja turke: 15 korriku të mos përsëritet askund, mbyllni shkollat e terroristit Gylen

Ambasadorja e Republikës së Turqisë në Shkup, Tülin Erkal Kara, është mirënjohëse për mbështetjen që e kanë shprehur qytetarët e Maqedonisë pas tentimit për grusht-shtet më 15 korrik të vitit të kaluar. Në një intervistë për Televizionin SHENJA, ambasadorja turke uron që ajo që ndodhi në Turqi, të mos përsëritet askund tjetër në botë. Për këtë, ajo thotë se secili vend duhet të ketë kujdes me organizatën FETO.

“Për këtë, duhet të merren masa edhe për mbylljen e të gjitha institucioneve të cilan janë ekstenzione të kësaj organizate terroriste në Maqedoni. Është shumë me rëndësi sepse bëhet fjalë për institucione arsimore dhe të gjithë ato nxënës që do të shkojnë në ato shkolla, nesër pasnesër do të kthehen si militantë në shoqërinë tonë”, deklaroi ambasadorja Kara.

Në shenjë përkujtimi për viktimat e 15 korrikut të vitit të kaluar, ambasadorja turke tha se do të organizohen më shumë ngjarje, duke theksuar edhe vizitën tek familjarët e njërit prej viktimave të cilët jetojnë në Shkup.

“Pasi që nesër është edhe dita e Xhuma, para namazit të Xhumasë edhe në hutbe do të përkujtohet edhe një herë përvjetori i këtyre ngjarjeve. Me siguri edhe në të gjitha xhamitë tjera të Maqedonisë në hutbet e xhumasë do të ceket kjo temë. Pastaj do të kemi lexim të Kur’ani Kerimit, kemi tre fitues të garave botërore në lexim të bukur të Kur’anit nga Republika e Turqisë”, tha ambasadorja turke.

Ambasadorja turke rikujton ftesën e bërë nga Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili ftoi popullin që të dalin në rrugë. Ajo thotë se vullneti i hekurt i popullit turk, i cili u vu përballë tankseve dhe forcave të armatosura një vit më parë, është më meritori për dështimin e grusht-shtetit.

Abdulla Berisha /SHENJA/

Ambasadorja turke: 15 korriku të mos përsëritet…by tvshenjaofficial



Loading...
Propellerads

Leave a Reply